info-shqip.tk
  Kur toka nis të dridhet
 
 Kur toka nis të dridhet

Haiti, Japonia dhe Kili. Toka vazhdon të dridhet. Pllakat ku mbështetet bota përplasen vazhdimisht me pasoja të frikshme. Tërmete me përmasa katastrofike dhe cuname: Natyra duket se është çmendur. Çfarë po ndodh me tokën? Ja si t’i interpretojmë mesazhet që natyra na dërgon

Tërmetet

Toka po lëkundet. Por ajo që të shkakton më shumë frikë dhe ankth është shpeshtësia me të cilën po ndodhin këto fenomene. Më parë Haiti, pastaj Kili dhe Japonia. Pafuqia e atyre që përpiqen të bëjnë parashikime, po duket më e rritur se kurrë pavarësisht shekujsh të tërë studimesh, përpjekjesh dhe momenteve të rralla të suksesit. Sipas statistikave, tërmetet e sotme janë më fatale se në të kaluarën.
Në vitin 2009, aktiviteti sizmik në botë mori jetën e 1700 personave. Një vit më parë, më 2008, gjendja ishte akoma më e keqe: me 88 mijë viktima të gjitha të përqendruara në rajonin kinez të Sichuanit (tërmet 7.9 ballë). Këtë vit nga Haiti (tërmet 7 ballë) në Kili (8.8 ballë) numri i viktimave e kaloi shifrën 200 mijë. Tërmeti i Kilit është një sekuencë ekzemplare e asaj që ndodh kur një kataklizëm nis poshtë këmbëve. Ishte ora 3.34 e 27 shkurtit kur në Konsepsion brenda pak sekondave u çlirua energjia e akumuluar në tokë përgjatë thuajse dy shekujve. Fuqia e tërmetit kilian - që nga fillimi i shekullit 20 është kaluar vetëm katër herë të tjera - u krahasua me shpërthimin e njëkohshëm të mijëra bombave bërthamore. 
Valët sizmike nisën udhëtimin drejt kores së tokës me një shpejtësi 5 kilometra në sekondë. Të gjithë, rreth 4 mijë sizmografët e vendosur në planet u lëkundën njëkohësisht. Fundi i detit u ngrit me një metër duke shkaktuar dallgë të mëdha. Valët e cunamit nisën të përhapeshin përgjatë Paqësorit me shpejtësinë e avionit: thuajse 900 kilometra në orë. Fatmirësisht, muret e ujit nuk arritën ndonjë lartësi të madhe (maksimumi dy metra) duke mos shkaktuar dëme. 
Një tjetër lajm i mirë është se Kili, ndryshe nga Haiti, është një vend shumë i përgatitur në këtë fushë, madje ka edhe një legjislacion rigoroz për inxhinierinë antisizmike.
Faji i rritjes së numrit të viktimave si pasojë e tërmeteve nuk është i tokës, që vazhdon të dridhet ashtu siç ka bërë gjithmonë gjatë historisë së saj. Faji është i rritjes së numrit të njerëzve në planet dhe përqendrimi i tyre në qytete të mëdha. Ata që “vrasin” nuk janë tërmetet, as ata më të dhunshmit. Janë ndërtesat, sidomos ato të rejat të ndërtuara me çimento të një cilësie të ulët dhe të vendosura njëra pas tjetrës në zonat e botës në zhvillim.
Një ditë para tërmetit kilian, më 26 shkurt në Okinava, një lëkundje me të njëjtën magnitudë të ishullit karaibik, përfundoi pa asnjë viktimë, duke treguar edhe njëherë se përballë një lëkundjeje të dhunshme ajo që bën diferencën mes jetës dhe vdekjes është fortësia e betonit me të cilën është ndërtuar godina. 
Tërmeti japonez u “zgjidh” me pak marrje mendsh për banorët e qyteteve të mëdha. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për atë që ndodhi në Kili. Dy pllakat e Nazcas dhe Amerikës së Jugut kanë në “trup” një fuqi të tillë sa kanë kontribuar në formimin e Andeve në të kaluarën. Prej mijëvjeçarësh përplasen si dy desh kokëfortë, duke përparuar me ritëm të ngadaltë, por shumë domethënës rreth 80 milimetra në vit, me “turirin” e Nazcas e detyruar të zhytet drejt fundit duke gërmuar në magmën e ngrohtë që formon zonën amerikanojugore. 
Gjeologët e quajnë këtë proces subduksion. Sa më shumë ajo zhvillohet në heshtje aq më shumë rrezikon të akumulojë “zemërim”, duke e nxjerrë të gjithë energjinë e saj në një tërmet të madh të fuqishëm. Të shtunën në mëngjes në 3.34, askush nuk mund ta përcaktojë përse atë ditë dhe atë orë, pllakat shpërthyen tensionin e tyre. 
Që prej vitit 1835, Konsepsioni jetonte me frikën e tërmeteve të dhunshme. Në zonë, pak kohë pas tërmetit të atëhershëm, mbërriti Charles Darvin që navigonte në bordin e “Beagle”-s, për të përfunduar teorinë e tij të evolucionit. 
Ai e përshkroi qytetin Konsepsionit si një grumbull tullash e trungjesh të shkatërruara dhe vuri re ndryshimet që kishte pësuar vija bregdetare si pasojë e lëkundjeve sizmike. Vitin e shkuar, një gjeolog francez dhe kilian ripanë të dhënat dhe shënimet e natyralistit britanik dhe publikuan një studim (pa dhënë një datë të saktë) se një tjetër tërmet i madh, me magnitudë më të madhe se 8 do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër në brigjet e Kilit. Artikulli i tyre u publikua në qershor të vitit të kaluar në revistën “Physics of the earth and planetary interiors”. 
Ambicia e tij nuk ishin parashikimet e sakta, por një vëzhgim statistikor i bazuar në ligjin e numrave të mëdhenj. “Zona e Konsepsionit është shumë e matur nga pikëpamja sizmike, duke parë se asnjë tërmet i madh nuk është verifikuar që nga viti 1835”. 
Dy pllakat e Nazca-s dhe Amerikës së Jugut që nga koha e Darvinit janë afruar me 10 metra në krahasim me pjesën tjetër të zonave të tyre. Të shtunën në mëngjes, sizmografët nisën të regjistrojnë një seri lëkundjesh të lehta, shenjë paralajmëruese kjo për atë që do të ndodhte më vonë, tërmetin e tmerrshëm me magnitudë 8.8 ballë. 
Tërmetet e shkaktuara nga lëvizja e subduksionit janë shpesh më të egrat. Pikërisht lëvizjes së këtyre pllakave iu atribuua edhe tërmeti më i tmerrshëm i regjistruar ndonjëherë në tokë me magnitudë 9.5 të shkallës Rihter. Përshkallëzimi i egërsisë së lëkundjeve sizmike që kemi vënë re në muajt e fundit, është vetëm një efekt optik.
Duke hedhur vështrimin tonë përtej si në hapësirë ashtu dhe në kohë vëmë re se tërmetet janë fenomenet më të rregullta të planetit tonë. Vlerësohet se lëkundjet sizmike pak a shumë të mëdha që prekin planetin tonë çdo vit janë me mijëra. 
Sizmografët regjistrojnë nga 12 deri në 14 mijë, nga të cilët vetëm 20 janë me magnitudë më të madhe se 7 dhe me dhjetëra të tjerë në gjendje të shkaktojnë viktima mes popullsisë.
 
   
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=